Mër. Nën 6th, 2024

Prokuroria nis hetimet për skandalin me agjentët e AKI-së

Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar hetimin e skandalit të ish-prokurorit special, Sylë Hoxha dhe ish-shefin të AKI-së, Driton Gashit, në implikimin e dy agjentëve të AKI-së për dhënien e dëshmive të rrejshme në një proces gjyqësor.

Në një deklaratë për media të premten në mbrëmje, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Prokurori i Shtetit kanë paralajmëruar reagime ligjore ndaj skandalit të publikuar të premten.

“Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, thuhet në reagimin e KPK-së.

KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit, kanë thënë se nuk do të lejojnë cenimin e integritetit të sistemit prokurorial.

Një hulumtim i publikuar të premten, zbuloi përfshirjen e dy agjentëve të AKI-së në dhënien e deklaratave të rrejshme në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Sipas shkrimit hulumtues ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore në janar të vitit 2018 me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal.

Sylë Hoxha dhe Driton Gashi ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Me ato identitete ishin prezantuar në gjykatë si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë. Në janar të vitit 2018, ata kishin dëshmuar rrejshëm kundër Ramabajës dhe të tjerëve në rastin gjyqësor të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.

Hoxha, i kontaktuar të premten, ka mohuar të ketë bërë marrëveshje me Driton Gashin, ish-shefin e AKI-së, për infiltrimin e dy dëshmitarëve të rrejshëm në procesin gjyqësor.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *