Sht. Qer 15th, 2024

Seanca në Hagë, mbrojtja dhe prokuroria diskutojnë për nxjerrjen e materialeve shfajësuese

By Rtv Arbëria Nën4,2022

Në seancë private janë ngritur disa çështje nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u tha se lidhen me nxjerrje të materialeve shfajësuese.

Derisa po deklarohej avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, është vijuar me seancë private ndërsa pas kthimit në seancë publike Emmerson ka bërë të ditur kërkesat e tij të cilat nuk u dëgjuan plotësisht për shkak të përmbajtjes së redaktuar.

“Duke mbajtur parasysh çështjet që i kemi diskutuar në seancë private dua për hir të procesverbalit t’i them kërkesat e bëra. E para që ju të shtyni marrjen e vendimit lidhur me materialet e rregullës 103 që kanë të bëjnë me falsifikimet e shërbimeve të inteligjencës të Serbisë, nën dritën e çështjeve që u ngritën në seancë private dhe këtu siç thamë në këtë kërkesë do të përfshihen jo vetëm shërbimet e inteligjencës së Serbisë por edhe ato të Rusisë. Së dyti, do të kërkojmë një urdhër që ju t’i rishikoni edhe njëherë vendimet për lirim të përkohshëm, sidomos në rastin…(përmbajtje e redaktuar)”, tha avokati Emmerson.

Kërkesat e avokatit Emmerson janë mbështetur edhe nga avokatët e tjerë që sipas tyre çështje të tilla mund të çojnë drejt rishikimit të vendimeve lidhur me lirimin e përkohshëm.

Sa i përket kërkesave të mbrojtjes për shtyrjen e vendimit, lidhur me mbajtjen në paraburgim, gjykatësi i procedurës paraprake tha se mbrojtja duhet të bëjë një kërkesë të shkurtë me shkrim meqë sipas ligjit rishikimi bëhet çdo dy muaj.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatët kërkuan që gjykata të nxjerrë konstatim për shkelje të rregullës 103 dhe detyrimit të prokurorisë për nxjerrje të materialeve sipas kësaj rregulle.

Avokati i Rexhep Selimit tha se shkeljet e prokurorisë duhet të njihen nga gjykata.

“Është me rëndësi që këto shkelje të detyrimeve të rregullës 103 duhet të njihen nga gjykata, është me rëndësi që të ketë një konstatim gjyqësor në lidhje me këto shkelje. Kemi shkelje të shumta të materialeve prej kësaj rregulle, ne parashtrojmë se gjykata nuk mund të vazhdojë të mbetet e heshtur lidhur me këtë. Duhet të nxjerrët një vendim ku të shënojë të gjitha këto shkelje sepse janë shkelje të rënda sepse siç e dini të gjitha materialet e nxjerra sipas rregullës 103 janë shumë të rëndësishëm për mbrojtjen sepse kanë të bëjnë me fajësinë apo pafajësinë të një akuzuarit, janë materiale shfajësuese”, tha avokati i Selimit.

Por nga prokuroria u tha se parashtrimet e mbrojtjes janë të tepruara.

“Nuk do të fillojmë t’i shikojmë edhe njëherë prej fillimit të gjitha materialet për të parë nëse ndonjë prej tyre bie nën rregullin përkatës, ne nuk e shohim të arsyeshëm se pse duhet t’u kthehemi edhe njëherë këtyre dokumenteve të cilat mbrojtja i ka parë. Sa i përket çështjes më të përgjithshme, ne parashtrojmë se është edhe një përpjekje tjetër e mbrojtjes për ta ndryshuar rendin e ditës të kësaj seance. Kemi dëgjuar parashtrime nga më të ndryshmet sot dhe për mendimin tonë këto parashtrime janë të tepruara” tha prokurori Matthew Howling.

Prokuroi tha se duan fillimisht të shohin kërkesat e mbrojtjes në mënyrë që t’i analizojnë ato në tërësi.

Pas deklarimit të prokurorit ka reaguar mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, avokati Gregory Kehoe.

“Nëse informacioni ndikon në kredibilitetin dhe mbështetshmërinë e provave të prokurorisë atëherë ky është material i rregullës 103. Duhet t’i kalojnë të gjitha materialet një nga një në lidhje me informacionin që ka dhe këtë ta bëjnë vetë pa urdhrin e juaj si gjykatës”, tha Kehoe.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *