Enj. Dhj 5th, 2024

Stavileci: Pushteti arrogant e mosdëgjues po thellon krizën dhe varfërinë e familjeve kosovare

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, sot, në një konferencë për media, ka thënë se tash e dy vite qytetarët e vendit tonë po vazhdojnë të përballen me kriza e vështirësi të njëpasnjëshme.

Stavileci, duke kritikuar politikat qeverisëse, ka thënë se ende pa i kaluar pasojat e rënda të njërës krizë, qytetarët po goditen nga efektet e pamëshirshme të krizës tjetër, që janë rritja e çmimeve.

“Nisi me pandeminë, vazhdoi me energjinë elektrike, me reduktime dhe shtrenjtime, dhe tani e sa muaj me ngritje marramendëse çmimesh dhe rekorde të zeza inflacioni. Sot si asnjëherë më parë që nga çlirimi, familjet po varfërohen muaj pas muaji dhe gjendja e tyre po rëndohet orë e çast. Buxheti i familjeve kosovare po zvogëlohet me shpejtësi të madhe, çmimet po rriten me shpejtësi edhe më të madhe e shporta po pakohet drastikisht me prodhimet bazë të jetesës.”, ka thënë Stavileci.

Më tej, ai ka prezantuar numra dhe fakte për gjendjen familjeve kosovare, se si ato kanë jetuar më parë dhe si po jetojnë sot.

“Më lejoni t’ua prezantojë të dhënat e fundit në kohë reale për shportën e prodhimeve bazë për të jetuar. Në këtë krizë të madhe ekonomike, të gjitha familjet po mundohen ta gjejnë rrugën e ekzistencës, e edhe aktorët e tregut atë të mbijetesës për t’i mbuluar shpenzimet dhe për t’i kryer obligimet ndaj shtetit.”, ka thënë Stavileci.

Në të gjithë këtë kohë krize, Stavileci ka thënë se, fatkeqësisht, ka vetëm një protagonist të munguar, e ky është pushteti.

“Ky pushtet në vend se të ishte në ulësen e parë për t’i dhënë zgjidhjes drejtimin, ka braktisur atë për t’i bërë krizës thellimin. Pushtetit po i mungon veprimi e po i rritet mosdëgjimi. Padija dhe mosdëgjimi po e ushqejnë arrogancën, injorimin dhe diskriminimin e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Kjo shportë e pakuar e familjeve për t’u mbushur përsëri ashtu siç ishte dikur, duhet ta ketë vëmendjen e pushtetit dhe përmbushjen e veprimeve të qeverisë, për të cilat ajo duhet të ketë vizion dhe kurajo.”, ka thënë anëtarësi i Kryesisë së PDK-së.

“Nuk bëhet qeverisja duke munguar e abstenuar. Nuk zgjidhen krizat duke i shpërfillur e thelluar. Nuk ndihmohen familjet duke i varfëruar. Familjet kosovare, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë urgjente për t’i ndihmuar.”, ka thënë ai.

Në fund, Stavileci ka thënë se pas fitores së 450 mijë familjeve kundër shtrenjtimit të padrejtë, të paarsyeshëm e të paligjshëm të energjisë elektrike, do ta vazhdojmë me punën për gjetjen e rrugëdaljes për ta kthyer fuqinë blerëse të familjeve dhe për të mos lejuar varfërimin e mëtejshëm të tyre, meqenëse Qeverisë nuk po i bëhet vonë.

“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejtë. Rritja e pagave, rritja e pagës minimale mbi 300 euro dhe tërheqja e trustit”, ka përfunduar Blerand Stavileci.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *