Die. Dhj 8th, 2024

NGJARJET E DITES, E DIEL 21.02.2021

KQZ: Më shumë se 16 mijë zarfe nga diaspora janë pranuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar deri më tani më shumë se 16 mijë zarfe ndërkaq ka refuzuar 6 mijë e 800 të tjera me vota nga diaspora.
Sipas KQZ-së, më shumë se 5 mijë prej zarfeve janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.
“Arsyet tjera se përse nuk janë aprovuar kanë të bëjnë me faktet se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); se në pakon që e kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide; dhe se kanë dërguar fletëvotime më shumë se dy herë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Aktivitete të tjera të cilat po kryhen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë edhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve si dhe futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike.
..

Haradinaj: Do të vazhdojmë të jemi të fortë dhe të pathyeshëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, me një poezi nga “Mrizi i Zanavet”, i shkruar nga poeti i madh Gjergj Fishta, i ka uruar të gjithë shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.
Haradinaj tha se gjuha jonë e bukur shqipe na kujton se ne ishim me territor, gjuhë dhe zakon.
Ai tha se shqiptarët do të vazhdojnë të jenë të fortë dhe të pathyeshëm.
“Shqipja jonë e bukur, mbretëreshë e gjuhëve, na kujton sot në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, që ne ishim këtu me gjuhë, territor e zakon dhe do të vazhdojmë të jemi, të fortë e të pathyeshëm. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe gjuhën shqipe!”.

1 i vdekur vdekur nga Covid, 398 raste të reja dhe 228 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

228 TË SHËRUAR DHE 398 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.996 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 398 raste pozitive.
Brenda 24 orëve është raportuar një rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna: Drenas 1 rast (39 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 66.380 raste nga 285.900 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.572 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 228 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58.169 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.639
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 141 raste, Pejë 37 raste, Ferizaj 34 raste, Gjilan 24 raste, Prizren 23 raste, Mitrovicë 20 raste, Gjakovë 19 raste, Fushë-Kosovë 16 raste, Lipjan 10 raste, Podujevë 10 raste, Vushtrri 10 raste, Klinë 9 raste, Istog 8 raste, Obiliq 8 raste, Skenderaj 6 raste, Drenas 4 raste, Kaçanik 4 raste, Malishevë 3 raste, Rahovec 3 raste, Viti 3 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Mamushë dhe Suharekë.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 398 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njejta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Shefi i UNICEF-it në Kosovë kritikon qytetarët për shkeljen e masave: COVID-19 ende s’ka mbaruar

Murat Sahin, shef i organizatës për mbrojtjen e fëmijëve UNICEF për Kosovën, ka kritikuar qytetarët për mosrespektimin e masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.
Sahin ka bërë të ditur se ndodhet në Prizren, ndërkaq në disa fotografi të publikuara në Twitter, ai ka shkruar se duket se vetëm ai po e mban maskën dhe se COVID-19 ende nuk ka përfunduar.
“Duket sikur unë jam i vetmi me maskë në Prizren. Kosovë, COVID-19 ende nuk ka mbaruar”, ka shkruar ai.
Para mbajtjes së zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kosova ka liruar masat kundër përhapjes së pandemisë, duke hequr edhe kufizimin e lëvizjes.
Deri më tani në vend nga coronavirusi kanë vdekur më shumë se 1,500 persona dhe janë infektuar mbi 66,000 të tjerë..

Enver Hasani: Rusia dhe Kina pa ndikim në dialogun Kosovë-Serbi

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur lidhur me mundësinë e përfshirjes së Rusisë dhe Kinës në dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e organizimi të një konference ndërkombëtare.
Hasani thotë se nuk beson në mundësinë e një konference ndërkombëtare për Kosovën, sepse, sipas tij, pikëpamjet e Rusisë nuk janë vetëm në kundërshtim me pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, por janë edhe në konflikt me ta.
“Amerika dhe Evropa e shohin Kosovën si një çështje të sigurisë që është pjesë e skemës së sigurisë Euro-Atlantike. Ata duan që problemi i Kosovës të zgjidhet si pjesë e sigurisë Euro-Atlantike, në të cilën Rusia dhe aktorët e tjerë nuk mund të luajnë ndonjë rol, kështu që thirrja e një konference ndërkombëtare është jashtë diskutimit”, tha Hasani për REL, në gjuhën serbe.
Sipas tij, aktualisht Kosova nuk është një problem i sigurisë që do të kërcënonte stabilitetin rajonal dhe më të gjerë siç ishte nën Millosheviqin.
“Tani është më shumë çështja e demokracisë dhe zhvillimit të Kosovës si shtet dhe shoqëri. Qëllimi është të formatojmë Kosovën në përputhje me standardet perëndimore, Euroatlantike. Nëse do të zgjidhnim çështjen e njohjes me Serbinë, ajo do të pasohej nga njohja e anëtarëve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani. Unë pres që pas ndryshimit të administratës në Uashington, kjo njohje do të vijë edhe më herët. Kjo do të ngushtonte hapësirën për manovrim të Rusisë, e cila po përpiqet të destabilizojë këtë zonë duke përdorur Serbinë si një agjent të paqëndrueshmërisë së mundshme”, tha ai.
Hasani ka komentuar edhe tensionimin e marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian nga njëra anë dhe Rusisë dhe Kinës nga ana tjetër, dhe nëse mund të reflektojë kjo në sjelljen e Rusisë dhe Kinës ndaj problemit të Kosovës.
“Mendoj se përkeqësimi i marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Rusisë dhe Kinës forcon pozicionin e Kosovës në negociatat me Serbinë dhe dobëson pozicionin e Serbisë. Siç e kam thënë tashmë, për Kinën çështja kryesore është tregu dhe ajo ka probleme me Perëndimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për biznesin. Nuk besoj se kjo mund të çojë në konfrontime ushtarake. Kina nuk ka forcë për të vepruar ushtarakisht jashtë sferës së saj të interesit. E njëjta gjë vlen për Rusinë. Sidoqoftë, Rusia është tradicionalisht e pranishme në vendet e Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore, ku ajo pak a shumë luan rolin e një fuqie të vogël. Kjo është arsyeja pse Perëndimi po përqendrohet në problemet e brendshme të Rusisë në mënyrë që të parandalojë përpjekjet e saj për të rinovuar interesat e ish-perandorisë Sovjetike”, tha Hasani.
Hasani mendon se Rusia dhe Kina nuk mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi, Kosova, sipas tij, tashmë është në sferën e interesit të strukturave politike dhe ushtarake Euro-Atlantike.
“Serbia qartë është përcaktuar për rrugën evropiane dhe kjo do të ketë një çmim për Serbinë në kuptim ë njohjes përfundimtare të Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran. Edhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, herët a vonë do të përcaktohen për njohje të plotë. Kështu që Kina dhe Rusia do të duhet të pranojnë realitetin. Në fund të fundit, e drejta ndërkombëtare gjithashtu thotë që, kur dy palë bien dakord, palët e treta nuk kanë të drejtë të bllokojnë atë marrëveshje për një kohë të pacaktuar”, tha Hasani.

Shahini: Mbi 50 mijë punëtorë humbën vendin e punës!

Si pasojë e pandemisë 50 mijë qytetarë të Kosovës kanë humbur vendin e punës.
Kështu ka thënë kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini.
Përveç humbjes së vendit të punës, Shahini ka theksuar se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat kanë vështirësi në marrjen e pagave, siç thotë ai nga kriza pandemike më shumë se 10 mijë operatorë kanë falimentuar në tërë Kosovën.
Ai theksoi se në mënyrë që vendet e punës të mos shuhen, intervenimi i Qeverisë së Kosovës për të përkrahur bizneset është i domosdoshëm.
“Sektori privat duhe të jetë fokusi kryesori qeverisë dhe të ketë një vëmendje të shtuar ndaj biznesit vendor si partner të jetë i trajtuar në mënyrë të barabartë pa pasur privilegje sepse ne qeverinë e konsiderojmë si shtetërore në momentin kur ulen në pozita dhe ajo duhet të ketë parasysh rimëkëmbjen pasojat e COVID-19 të cilat kanë lënë pasoja në shumë fusha sidomos në ekonominë e vendit ku si pasojë e COVID kanë mbetur mbi 50 mijë vetë të papunë po ashtu kanë vështirësi në paga më shumë se 150 mijë punëtorë në sektorin privat. Gjatë kësaj kohe në Kosovë kemi një mbyllje dhe falimentim dhe shuarje të aktiviteteve ekonomike të më shumë se 10 mijë operatorëve në tërë Kosovën”

Moti
Të hënën parashikohet mot me diell, temperaturat do të lëvizin nga minus 2 deri në 12 gradë celcius. Mot me diell edhe në Tiranë,me temperatura nga 4 deri në 18 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 66380 , Të shëruar: 581069 ,të vdekur:1572
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *