Hën. Mar 4th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 18.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 18, 2021

LDK-ja detyrohet ta ndryshojë listën e kandidatëve për shkak të AKR-së

Aleanca Kosova e Re ka arritur ta ndryshojë renditjen e kandidatëve në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.
Dy ditë më parë, LDK-ja kishte publikuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë, mirëpo AKR-ja më pas tha se kjo nuk ishte renditja për të cilën ishin marrë vesh.
Të hënën, emrat e garuesve për deputetë kanë ndryshuar renditjen.
Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, tregoi se Islam Pacolli, Ibrahim Makolli dhe Flamur Sefaj kanë kaluar në renditje më të lartë.
“Po ka ndryshuar lista. Grupet tona kanë qenë duke punuar dje dhe kanë arritë në fund një marrëveshje. Pacolli do të mbetet me numër 5, ndërsa tek disa të tjerë është bë ndërrim. Numër 22 tash është Islam Pacolli, numër 34 është Ibrahim Makolli dhe në 55 është Flamur Sefaj”, tha Makolli.
Ndërkaq, mohon të jetë bërë fjalë për kryetarin e kësaj partie, Behgjet Pacolli, për të cilin të dielën tha se Pacolli në marrëveshjen paraprake me LDK-në do ta mbante numrin 4 në listë.
Një ditë më pas, Makolli thotë se nuk bëhet fjalë për të dhe se “Pacolli vetë nuk ka dashtë ta ndërroj numrin”.
“Nuk bëhet fjalë për Behgjet Pacollin, por është bë fjalë për të tjerët me numrat që kanë pasë”, shtoi ai.
Islam Pacolli në listën e parë të publikuar mbante numrin 34, Ibrahim Makolli të 22-in dhe Flamur Sefaj numrin 76.
Subjektet politike kanë mundur t’i paraqesin korrigjimet/përmirësimet e tyre brenda 24 orëve pas përmbylljes së afatit të aplikimit…

Deputeti i LDK-së ftohet në inaugurimin e Presidentit Biden

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, është ftuar në inaugurimin e Presidentit Biden,
Kjo është bërë ditur nga LDK përmes një komunikate për media.
Inaugurimi i Biden president do të bëhet me 21 janar..!

1 i vdekur,163 të shëruar dhe 267 raste të reja me COVID-19

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
163 TË SHËRUAR DHE 267 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.377 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 267 raste pozitive.
Brenda 24 orëve është raportuar 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna Ferizaj 1 rast (74 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 56.118 raste nga 209.960 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.411 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 163 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 49.432 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.275.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 56 raste, Podujevë 49 raste, Prizren 27 raste, Gjilan 23 raste, Pejë 17 raste, Gjakovë 15 raste, Mitrovicë 13 raste, Suharekë 11 raste, Fushë-Kosovë 11 raste, Vushtrri 7 raste, Lipjan 5 raste, Istog 4 raste, Obiliq 4 raste, Deçan 3 raste, Drenas 3 raste, Kamenicë 3 raste, Klinë 3 raste, Malishevë 3 raste, Ferizaj 2 raste, Rahovec 2 raste, Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Graçanicë, Kllokot dhe Shtime.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

KQZ’ja verifikon aplikimet nga diaspora, thonë se procesi deri tani ka shkuar mirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka funksionalizuar Qendrën e Thirrjeve, ku janë të hapura 25 linja telefonike që do të bëjnë verifikimin e votuesve nga jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë në Info Magazine në Klan Kosova, se procesi deri tani ka shkuar shumë mirë.
“Deri tani, janë bërë me mijëra telefonata në numrat e telefonit të cilat i kanë shënuar aplikuesit. Në aplikim, një qytetar me të drejtë vote bën për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, shënon edhe numrin e tij të telefonit. Atë numër të telefonit zyrtarët e KQZ-së, e merr dhe e kontakton sipas udhëzimit të miratuar nga KQZ-ja. Pra një raport më të detajuar, se sa ka qenë numri i aplikuesve që i kemi kontaktuar deri më tani, do ta kemi pak më vonë gjatë mbrëmjes”, u shpreh Elezi.
Sipas tij, arsyeja pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë një vendim të tillë është për të verifikuar vërtetësinë e votuesit.
“Aktualisht në KQZ, po zhvillohet periudha e regjistrimit të votuesve jashtë vendit. Periudha ka nisur më datë 13 janar dhe përmbyllet më 21 janar në orën 18:00, sipas kohës lokale në Kosovë”.
“Procesi që po ndodh këtu është proces i verifikimit të aplikuesve nga jashtë vendit. Arsyeja se përse kemi vendosur kështu, është për faktin për të ditur dhe vërtetuar që prapa një aplikuesi qëndron një votues i vërtetë dhe nuk është një person tjetër që ka për qëllim për të aplikuar në emër të dikujt tjetër”.

Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e GERMIN-it rreth votave të diasporës

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Organizatës Jo Qeveritare, GERMIN, rreth vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për verifikimin e votave të diasporës përmes telefonimit të secilit votues.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen juridike të apelit të organizatës joqeveritare “GERMIN”, të paraqitur kundër vendimit nr. 42-2021 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur sipas ankesës të organizatës Joqeveritare “GERMIN”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.1/2021, në seancën e kolegjit të mbajtur me datë 18.01.2021, hodhi poshtë si të palejuar ankesën e “GERMIN”, thuhet në njoftimin e Supremës.
Organizata GERMIN kishte bërë ankesë ndaj vendimit të KQZ-së edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por edhe ky institucion e hodhi poshtë ankesën e kësaj organizate.

Qeveria e presidenca e Kosovës pa konsensus për drejtorin e ri të AKI-së

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk i është përgjigjur propozimit të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, për emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), të cilin ai e kishte dërguar para tre javësh.
Ky post mbeti i lirë, prejse Kreshnik Gashi liroi detyrën me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Hoti. Kërkesa e Hotit, ishte mbështetur edhe nga u.d e presidentit, Osmani.
Në presidencë dhe qeveri nuk konfirmojnë nëse kanë komunikim institucional për të zgjedhur drejtorin e ri të AKI-së, ashtu siç parashihet në ligj.
Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Gashit i ishte kërkuar të lironte pozitën më 17 dhjetor, 2020, por asnjëherë nuk janë dhënë detaje zyrtare, për datën e saktë kur ai e ka liruar këtë pozitë.
A po shkelen afatet ligjore?
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kishte deklaruar për mediat vendore në fund të vitit 2020, se “ka dërguar në presidencë, propozimin e tij për drejtorin e ri të AKI-së”.
Burime të Radios Evropa e Lirë konfirmojnë se propozimi i kryeministrit është një “personalitet që ka shërbyer në AKI, e që madje ka pasur edhe pozitë brenda këtij institucioni”. Të njëjtat burime theksojnë se Hoti ka ofruar edhe një emër të dy, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga Osmani.
Në presidencë insistojnë se janë brenda afatit ligjor.
“Ende jemi në afatin kohor ligjor për emërimin e shefit të ri të AKI-së”, tha në një përgjigje të shkurtër Bekim Kupina, këshilltar për media i ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit.
Ai shtoi se “u.d e presidentit Osmani do ta bëjë propozimin e saj siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta e Kosovës”, pa dhënë detaje nëse kjo nënkupton një emër të ri nga ai që i është propozuar nga kryeministri në detyrë, Hoti.
Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit në detyrë, Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se në pikëpamjen e qeverisë, ‘u.d e presidentit, Vjosa Osmani ka të drejtë që të ketë propozimin e saj për drejtorin e ri të AKI-së, pasi kjo përcaktohet me ligj”.
“Megjithatë, vendimi final nuk mund të merret pa pajtueshmëri ndërmjet u.d presidentit dhe kryeministrit në detyrë”, tha Baxhaku.
Nëse merret për bazë, data e kërkesës së kryeministrit në detyrë, drejtuar ish-drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi, drejtori i ri i AKI-së duhet të emërohet më së largu brenda kësaj jave.
Thirrje për drejtor apolitik
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thotë se klasa politike duhet të jetë e vëmendshme dhe e përmbajtur kur përfshihet në ndërrimin e udhëheqësve të segmenteve të sigurisë, veçmas shërbimit sekret.
“Për aq sa politika i fut duart në segmentin e sigurisë, aq më shumë do të kemi devijim. Kjo do ta bëjë jofunksionale segmentin e sigurisë, përfshirë këtu AKI-në, por edhe policinë e ushtrinë apo shërbimet emergjente, e të tjera”, tha Musliu.
Ai e sheh të rëndësishme që në këtë pozitë të mos emërohen njerëz politikë, por ata që janë dëshmuar në fushën e sigurisë.
“Është mendim i imi personal se në këtë pozitë duhet të emërohet dikush që ka zhvilluar aktivitet profesional ose që ka dhënë kontribut në fushën e sigurisë. Është e rëndësishme që të jetë i familjarizuar më sfidat e segmentit të sigurisë dhe të ketë eksperiencë adekuate”, vlerëson Musliu.
Sipas tij, Ligji për AKI-në duhet të amendamentohet.
“Autorizimet e këtij shërbimi duhet të rriten dhe të shkojnë përtej kësaj kornize që është tash”, shton Musliu.
Ai vlerëson se ndërrimi kaq i shpeshtë i drejtuesve të AKI-së, shkakton huti e pasiguri edhe brenda vetëm shërbimit sekret të vendit.
Drejtori i fundit i shkarkuar i AKI-së, Kreshnik Gashi ishte emëruar në këtë pozitë, më 25 nëntor të vitit 2019, nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-presidenti Hashim Thaçi.
Paraprakisht, Kreshnik Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës. Ai është emëruar në krye të AKI-së, pas dorëheqjes së Shpend Maxhunit më 2019.
Më 2017 edhe Agron Selimaj kishte dhënë dorëheqje nga udhëheqja e AKI-së. Ndërkaq, më 2015, dorëheqje nga kreu i AKI-së pati dhënë edhe Bashkim Smakaj.
Ndryshe, AKI-ja është agjenci për siguri dhe inteligjencë, e cila sipas ligjit, “analizon dhe shpërndan produkte inteligjente në mënyrë të shpejtë, të ligjshme dhe të përgjegjshme te presidenti, kryeministri dhe institucionet tjera kompetente”.
Drejtori i AKI-së, i cili emërohet për një mandat pesëvjeçar me mundësi vazhdimi, i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit. /rel

Zyrtari i PDK-së: Vasfije Krasniqi ishte në negociata me ne, deri pak orë para dorëzimit të listës

Shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se Vasfiji Krasniqi ka qenë në negociata me Partinë Demokratike të Kosovës për të qenë pjesë e listës së kësaj të fundit për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai ka thënë se deri disa orë para se Vetëvendosje të publikonte listën me kandidatët për deputetë, Krasniqi ka qenë në negociata me PDK-në, e cila i ka ofruar asaj numrin 3 në listë.
“Vasfije Krasniqi ka qenë në negociata edhe me neve. Ka pasur një bisedë edhe me kryetarin e partisë edhe me njerëz tjerë deri pak orë para se të dorëzohet lista. I ka pasur disa kërkesa për mbështetje që ndoshta të tjerat ja kanë ofruar më shumë. Ne asaj ja kemi ofruar numrin 3 në listë”, tha Gjoshi në T7.
Përkundër insistimit të Lanit, Gjoshi nuk pranoi të tregoj kërkesat që i ka pasur Krasniqi ndaj PDK’së….

Moti
Të marten parashikohet mot pjeserisht i vranet,temperaturat do të levizin nga -8 deri -1 gradë Celsius. Mot me diell në Tiranë, me temperatura nga 1 deri ne 9 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 56118. Të Shëruar: 49432. Të vdekur: 1411
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *