Mar. Mar 5th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË, 20.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 20, 2021

KQZ: 47 kandidatë për deputet kanë probleme me ligjin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka pranuar përgjigjet nga disa insitucione nëse kandidatët e partive politike për deputetë nuk do të mund të jenë pjesë e këtyre listave. për shkak se kanë dënime efektive nga gjykatat e Kosovës.
KQZ ka pranuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Ministria e Punëve të Jashtme; dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Të gjitha këto institucione janë përgjigjur në kërkesat që kemi pasur për secilën prej tyre, e të cilat i kemi bërë të ditura në konferencën e së hënës.
Këto institucione kanë kthyer përgjigje në kërkesën për konfirim të përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për çertifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.
Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatit Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.
Këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së.
Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar.
Gjithashtu, do të njoftohen subjektet politike, secila prej tyre, për përgjigjet që kemi pranuar nga institucionet, në mënyrë që të mund të bëjnë plotësimin e listës me kandidatë të tjerë, në rast se ndonjë kandidat nuk i ka plotësuar kriteret ligjore.
Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk ceritfikohet, aim und të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e paknaqur me vendimin e PZAP-it.
Kjo periudhë e ankesa dhe e vendosjes është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar. Pas saj, më 1 shkurt, pason tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve..

Biden i drejtohet popullit amerikan: Me gjithë shpirt do të angazhohem për Amerikën e bashkuar

Joe Biden i është drejtuar për herë të parë popullit amerikan si presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti i 46-të pasi u betua se do të punojë me gjithë shpirtë që Amerika të mbetet e bashkuar.
“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Ditë e historisë dhe shpresës. Vullneti i qytetarëve është dëgjuar. Kemi mësuar sërish se demokracia është e brishtë, por demokracia ka triumfuar” theksoi Biden.
Biden ka komentuar edhe protestat e përkrahësve të ish presidentit Donald Trump.
“Kemi mësuar se demokracia është e shenjtë. Tani, në këtë tokë të shenjtë, ku pak ditë më herët dhuna shkundi themelet e Capitolit, ne jemi bashkuar në një komb, nën zotin, të pandashëm, për të kryer transferimin e pushtetit siç kemi bërë që më shumë se dy shekuj” deklaroi presidenti Amerikan.

269 TË SHËRUAR DHE 320 RASTE ME COVID-19!

Njoftimi i plotë nga IKSHPK:

269 TË SHËRUAR ,6 TË VDEKUR DHE 320 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.683 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 320 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (80 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (70 vjeç), Mitrovicë 1 rast (76 vjeç), Obiliq 1 rast (55 vjeç), Podujevë 1 rast (56 vjeç), Vushtrri 1 rast (72 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 56.732 raste nga 213.372 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.426 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 269 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 49.982 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.324.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 115 raste, Vushtrri 21 raste, Prizren 19 raste, Lipjan 17 raste, Podujevë 17 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Gjakovë 13 raste, Gjilan 11 raste, Malishevë 11 raste, Pejë 11 raste, Shtime 10 raste, Ferizaj 9 raste, Klinë 8 raste, Suharekë 7 raste, Mitrovicë 6 raste, Drenas 5 raste, Graçanicë 4 raste, Kaçanik 4 raste, Kamenicë 3 raste, Obiliq 3 raste, Skenderaj 3 raste, Deçan 2 raste, Junik 2 raste, Viti 2 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga një rast komunat Istog dhe Mamushë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Flet Kurti pasi nuk po i lejohet të marrë pjesë në zgjedhje

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka komentuar vendimin e fundit të KGJK-së, ku thuhet se 47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin, në mesin e të cilëve përfshihet edhe Kurti.
Kurti në një deklaratë për media ka thënë se nuk ka pranuar asnjë njoftim nga KQZ-ja.
“Unë nuk jam në dijeni për kurrëfar vendimi të tillë të KQZ-së, nuk kemi marrë ndonjë shkresë, unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo cka po verejë në Kosovës është një entuzjazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë interesim për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe këtu mërgata gjithsesi prinë, por edhe populli në Kosovë, besojë që të gjithë jemi dëshmitarë që me gëzim po e presim 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime, në vitin 2021 besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit”, u shpreh Kurti.
Tutje Kurti ka thënë se institucionet e vendit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit dhe jo t’i vihen përballë atij.
“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, tha ai.
Sipas një vendimi të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 47 kandidatë për deputetët nga 15 subjekte politike, kanë problem me ligjin për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“ Ata janë verifikuar nga Këshilli Gjyqësor, se janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. ”.

S’certfikohet as ish-deputeti i LDK-së, zëvëndësohet me djalin e tij

Xhavit Ukaj, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk do mund të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt. Kjo pasi që ndaj tij është në fuqi dënimi i formës së prerë i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Rastin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj. Ai pohoi se vendimi Ukajt i është bërë i plotfuqishëm më 24 dhjetor të vitit të kaluar.
“Po rasti për personin në fjalë është bërë i plotfuqishëm vitin e kaluar. Më 7 nëntor të vitit 2019 ndaj tij është shpallur aktgjykimi nga Gjykata Themelore në Prizren. {Pastaj me 24 dhjetor 2020 ky aktgjykim është bërë i plotfuqishëm”, ka konfirmuar ai.
Lekaj ka treguar se me kërkesë të Ukajt dënimi prej gjashtë muajve burg i është zëvëndësuar me shumën prej 2 mijë e 500 eurove
“Fillimisht ai është dënuar në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, në kuptim të nenit 47 të KP-së, me kërkesën e të akuzuarit dënimi me burg do ti zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2500(dymijepesëqindën) €. Në rast se i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj gjobën do të revokohet dënimi me gjobë dhe do të ngel në fuqi dënimi i caktuar me burg në kohë zgjatje prej 6 (gjashtë) muajve.”, ka thënë më tutje ai.
Lekaj ka treguar se rasti i Ukajt lidhet me një kërcënim që ky i fundit i kishte bërë një Prokurori në Prizren…

Reagon Daut Haradinaj: Dreshaj po tentohet të penalizohet për një gjobë trafiku që e kishte paguar para 3 vjet e 3 ditë

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka njoftuar që Dr. Shemsedin Dreshajt po tentohet që t’i penalizohet dhe t’i ndalohet kandidimi për deputet.
Haradinaj tregon se sipas informacioneve që i ka, bëhet fjalë për një gjobë trafiku në vlerë 18 euro, gjobë të cilën sipas Haradinajt, kandidati Dreshaj e kishte paguar para tre vjet e tre ditë më parë. “Një vendim i tillë është i çuditshëm. Aleanca do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për t’u ankuar kundër këtij vendimi.
Edhe pas kontakteve me kolegë të tjerë kandidatë, që po tentohet penalizmi i tyre, po shprehet habi se nuk janë në njohuri dhe nuk kanë qenë subjekt i ndonjë dënimi penal”, ka njoftuar Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook. Ai tutje ka thënë se shpreson që pas ankimimit do të përmirësohet ky gabim.

Osmani: Në krye të shtetit tonë aleat, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden

U.D e presidentes, njëherit kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes një postimi të bërë në FB ka thënë se në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden.
“Në cilësinë e u.d. Presidentes, i uroj mbarësi në postin e presidentit të SHBA-ve, me besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se demokracia e këtij shteti do të vazhdojë të jetë referencë për gjithë globin”, shkruan Osmani.
Ajo tutje thotë se Amerika është sinonim i demokracisë dhe promovimit të vlerave.
“Raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-të, janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale.
Zoti e bekoftë miqësinë e perhershme me Amerikën!”, përfundon postimin Osmani

Moti
Të enjten parashikohet mot pjeserisht i vranet,temperaturat do të levizin nga 2 deri 6 gradë Celsius. Mot pjeserisht i vranet në Tiranë, me temperatura nga 9 deri ne 16 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 56732. Të Shëruar: 49982. Të vdekur: 1426
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *