Mër. Nën 6th, 2024

Bislimi në Pragë: Kosova synon sivjet të aplikojë për anëtarësim në BE

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, u prit në një takim në Pragë nga ministri për Punë Evropiane i Republikës së Çekisë, Mikulas Bek, me të cilin ka biseduar mbi të ardhmen evropiane dhe sfidat e përbashkëta.

Bislimi tha se ky është një vit i rëndësishëm dhe ambicioz në agjendën evropiane, pasi Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe pret zhvillime pozitive në çështjen e liberalizimit të vizave, për të cilën i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Gjithashtu, ai e informoi ministrin Bek, për synimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE brenda këtij viti, pas 6 vjetësh të rrugëtimit në implementimin e dokumenteve të rëndësishme si Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe Agjenda për Reforma Evropiane.

Bislimi foli dhe mbi objektivat për punësim dhe drejtësi dhe progresin që ka njohur Kosova gjatë Qeverisë Kurti.

‘’Zhvillimet pozitive, ku demokracitë janë ato që fitojnë, duhet të jenë gjithmonë të inkurajuara’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi, ku veçoi gjithashtu dhe arsimin publik në nivelin universitar falas dhe pakot e ringjalljes ekonomike për përballimin e efekteve të pandemisë dhe atyre nga lufta në Ukrainë.

Gjithashtu u fol dhe për përballimin e krizës energjetike si sfidë e përbashkët e vendeve në kontinentin evropian, ku u evidentua synimi për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe të ripërtërirë.

Sa i përket çështjes së dialogut, u theksua se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila sjell normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe ka në qendër njohjen reciproke.

Ndryshe, Republika Çeke është kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *